0 Comments

Subjekti politik Alternativa thotë se po i përcjell me kujdes zhvillimet politike dhe masat që ndërmerren për tejkalimin e krizës që është shkaktuar nga virusi COVID 19.

Ata thonë se duke i pasur parasysh faturat që i paguajnë qytetarët (për EVN, shërbimet e telekomunikimit, Ujësjellësi, Higjiena komunale etj.), si dhe furnizimin me ushqim dhe mjete të tjera të nevojshme (në kushte kur duhet të qëndrohet në shtëpi sasia rritet), mendojmë se rroga minimale e propozuar për punëtorët e sektorit publik nuk mund t’i mbulojë nevojat e tyre elementare mujore.

“Nisur nga kjo, ne propozojmë që rrogat e të punësuarve në sektorin publik, të mos preken dhe të mbeten të njëjta. Gjithashtu kjo duhet të vlejë edhe për të punësuarit në sektorin privat, të cilët për shkak të masave parandaluese nuk do të kenë mundësi të punojnë, andaj rroga e tyre duhet të mbulohet plotësisht nga qeveria. Shkurtimet buxhetore duhet të bëhet në zëra të tjerë buxhetorë që nuk e dëmtojnë gjendjen edhe ashtu të rënduar të popullatës. Propozimi ynë është që funksionarët publikë, drejtorët, gjykatësit dhe prokurorët, në muajt prill dhe maj, të paguhen me rrogë minimale”, thonë nga Alternativa.

Për ta lehtësuar krizën e shkaktuar dhe për ta motivuar tejkalimin më të shpejtë të saj, Alternativa i propozon edhe këto masa:

  • Qeveria të kërkojë nga EVN vendosjen e tarifës së lirë të rrymës për 24 orë për muajin prill dhe maj, kjo për arsye se tash të gjithë qytetarët janë në shtëpi dhe, rrjedhimisht, rritet edhe shpenzimi i rrymës elektrike;
  • Shtyrja e afatit të pagesës së faturave nga EVN, shërbimet e telekomunikimit, Ujësjellësi dhe Higjiena komunale për muajt prill dhe maj dhe ofrimi i mundësisë së pagesës me këste për ata që nuk kanë mundësi t’i paguajnë;
  • Të anulohet financimi i partive politike për këtë vit dhe mjetet e parapara të shfrytëzohen për mbulesën e masave ekonomike;
  • Mjekëve dhe personelit mjekësor në klinikat ku ka numër më të madh të infektuarve t’u paguhen rroga shtesë për muajt mars, prill dhe maj;
  • Kompanitë prodhuese, që importojnë lëndë të parë në procesin e prodhimit të produkteve higjienike, dezinfektuese, mjeteve mbrojtëse mjekësore, si dhe artikujve bazë ushqimorë, vlerën e doganës dhe tatimit të kalkuluar gjatë importit të tyre ta paguajnë më së voni deri më 30 qershor 2020;
  • Të ngrihen për 6 muaj borxhet që i kanë bizneset dhe qytetarët ndaj institucioneve publike;
  • Për të gjithë qiradhënësit e objekteve afariste qeveria të propozojë që qiradhënësit t’i shtyjnë kërkesat për muajt prill dhe maj, me atë që pagesa e këtyre dy muajve t’u mundësohet qiramarrësve të kryhet me këste deri më 31.12.2020, kurse qeveria do t’i subvencionojë me 40% të vlerës së qirasë mujore të paraqitur në DHP për muajt prill dhe maj;;
  • Qeveria të sigurojë 10.000 denarë për familje për individët pa angazhim pune ose që janë pjesë e ekonomisë joformale, si dhe inkurajimin e këtyre personave që t’i paraqesin rastet dhe shteti t’i detyrojë subjektet ekonomike që t’i paraqesin ata si punëtorë të rregullt;
  • Kryqi i Kuq ta bëjë listën dhe t’i kontaktojë në çdo dy ditë familjet dhe pleqtë e vetmuar, që nuk kanë dikë tjetër, për t’i furnizuar me ushqim dhe medikamente;
  • Në familjet ku ka nga dy prindër mjekë, personel mjekësor, policë, zjarrfikës ose ushtarë, shteti të kujdeset për furnizimin e atyre familjeve për nevojat shtëpiake përmes aktivistëve të Kryqit të Kuq;
  • Heqja e pagesave për çerdhet për fëmijë deri më 30 qershor;
  • Për çdo viktimë – vdekje nga virusi COVID 19 – qeveria t’i ndihmojë familjarët për t’i mbuluar harxhimet e ceremonisë mortore në shumë prej 60.000 den.

Alternativa, po ashtu, i përkrah edhe propozimet për ndalimin e ekzekutimi të procedurave përmbaruese deri në muajin gusht, stimulimin e bankave për dhënien e kredive të volitshme, uljen e normave të interesit për kreditë, si dhe shtyrjen e afatit të pagesës së kësteve të kredive për qytetarët dhe bizneset në afat prej 3 muajsh.

Author

admin@10minuta.mk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *